
Një gramafon i vjetër pluskon në një stacion hapësinor. Kuarteti për Fundin e Kohëve, i Olivier Messian tingëllon ndryshe në mjedisin pa gravitet, ndërsa gjilpëra herë takohet duke e gërvishtur pllakën e herë e humbet kontaktin.
Gramafoni dirigjon veten, jashtë mëshirës së rëndesës dhe fatit, ndërsa 16 agime dhe perëndime vijnë e ikin.... Është ky projekti i fundit artistik i Anri Salës, që siç do të zbulonte ai në një intervistë dhënë në dhjetor për "Kalanli i Shtëpisë së Artit", ishte shtyrë si gjithë veprimtaritë për 2020-n.
Instalacioni “Time no longer”, i realizuar me teknikën CGI, do të shfaqet në Cisternën historike në Parkun Buffalo Bayou, në Hjuston, në muajin mars.
“Jemi të mahnitur mbi krijimin e Salës dhe mezi presim ta ndajmë këtë projekt poetik me publikun”, do të shprehej Karen Farber nga Partneriteti Buffalo Bayou , që e ka pajtuar këtë vepër. “Qysh nga çasti që pamë hapësirën, Sala u angazhua me të dhe krijoi një vepër arti qëi përgjigjet vërtet si veçantisë së Cisternës ashtu edhe historisë së qytetit të Houston-it”
Kumbimi i instalacionit, thuhet se do të krijojë gurgullima edhe në dyshemenë e ujshme të Cisternës.
Artisti shqiptar u ngacmua nga një prej tetë lëvizjeve të veprës muzikore, shkruar për klarinetë titulluar “Gremina e Zogjve”.
Aura vetmitare e muzikës, e riaranxhuar për projektin e Salës, reflekton mbi një epokë kur krizat e botës dukeshin të pakapërcyeshme por gjithaq edhe synimin drejt diçkaje – sado e brishtë – në mpirje.
Kompozitori Messiaen e shkroi pjesën elegjiake “Kuartet për Fundin e Kohëve”, në vitin 1941 ndërsa ishte i burgosur në një kamp lufte gjerman. U shkrua për klarinetë, piano, violinë dhe çelo, instrumentet që ai dhe tre shokë mund të gjenin dhe luanin atje.
Anri Sala mendoi gjithashtu për një tjetër event muzikor që tragjedia anuloi, lidhur me Hjuston.Kur saksofonisti dhe astronauti Ronald McNair vdiq në bordin e anijes hapësinore Challenger, bota humbi atë që mund të kishte qenë një pjesë origjinale e muzikës, regjistruar në hapësirë. Anija kozmike u shpërbë sekonda pas ngritjes, dukei vrarë të gjithë në bord.
Në bashkëpunim me muzikantin hungarez-amerikan Andre Vida dhe dizajnerin francez të tingullit, Olivier Goinard, Sala i shkriu të gjithë këta elementë për të krijuar veprën më ambicioze deri më sot. Vida interpreton saksofon bashkë me klarinetistin francez Raphaël Sévère.
“Muzika është riaranxhuar për të sjellë një vazhdimësi të re, që gjen dhe humbet kontaktin. Nuk është solo, por një duet mes klarinetës dhe saksofonit dhe prodhon një lloj empatie. Ku ka dy njerëz ka empati dhe dy instrumente prodhojnë një lloj empatie në muzikë”, shpjegon Sala.
“Gremina e Zogjve”, e cila ishte shkruar për klarinetë dhe luajtur nga shoku i burgosuri luftës me Messiaen, muzikanti algjerian Henri Akoka. Siç e ka thënë Messiaen, “Gremina është Koha me trishtimin, lodhjen e saj. Zogjtë [klarineta] janë e kundërta me kohën; ato janë dëshira jonë për dritë ...”
Sala mendonte se kompozimi i një pjese saksofoni për “Greminën e Zogjve” do të parashikonte në mënyrë delikate një pjesë që nuk u luajt kurrë atje ku ishte menduar dhe gjithashtu do të formonte një duet midis dy zërave instrumentalë - empatikë dhe të ndërvarur përmes asaj që kanë duruar.
Saksofoni prezantohet në “Time No Longer” vetëm kur gjilpëra largohet nga disku i vinilit, dukei dhënë McNair-it një prani fantazmë, të përthyer në hapësirë përmes klarinetës së Akoka. Akustika e fuqishme e Cisternës shpellore gjithashtu tregon gjerësinë dhe vetminë e asaj që lidh McNair dhe Akoka, përkatësisht hapësirën e jashtme dhe burgosjen.Vepra e Salës do të ekspozohet nga marsi deri më dhjetor të 2021-shit.
Në intervistën dhënë në dhjetor për “Kanali i Shtëpisë së Artit”, një projekt që bën bashkë artistët nga Ballkani dhe synon në një bahkëpunim rajonal të turizmit kulturor, Anri Sala rrëfente sesi kishte nisur tek ai interesimi për artin, në moshën dhjetëvjeçare.
Interesi për artin, rrëfente Sala, shkonte përtej interesit fëminor për vizatimin dhe artet pamore. “Po zbuloja potencialin” , thoshte ai. Ndërsa ky interesimi la kohë që më pas të ndante mendjen për të vijuar me Liceun Artistik.
I lindur më 1974 dhe i rritur në Shqipërinë diktatoriale, Sala rrëfen se e kishte kuptuar qysh herët se mënyra më e mirë për të shpëtuar veten si artist, ishte vëmendja e shtuar e perceptimit të objekteve. “Të jesh shumë kureshtar, të mprehësh vëmendjen se çfarë sheh dhe si e prezanton, në mënyrë realiste sigurisht”.
Mbrojtja që prodhohej nga vigjilenca e lartë, ishte një lloj shkolle e mirë, pranonte Sala “pavarësisht nga ajo që lejohej...”
Përpara se t’i vendoste bazat e tij artistike në Berlin, Sala u largua nga Shqipëria post-komuniste, ku studio Pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura për t’u shpërngulur drejt Parisit, ku zbuloi dhe studioi një tjetër medium të artit, videon.
Ai rrëfen se në vitet e para, si një artist që vije nga Ballkani apo ajo që konsiderohej periferia e Europës së zhvilluar, ndiheshe i mirëseardhur. “Vjen nga një vend që të tjerët mendojnë se është ekzotik dhe sjell lajmë nga një vend tjetër dhe kështu jei mirëseardhur, por si artist kam qenë xheloz për lirinë time”, pranon Anri Sala, i cili thotë se nuk ka të bëjë me vendin nga vjen, por se çfarë bën me të. Ka të bëjë me përmbajtjen.
Është një kombinim, thotë ai, me nga vjen dhe ku shkon. “Me ndryshimin se e di nga vjen, por nuk e di ku shkon. Por, sa më pak të dish ku po shkon, aq më e rëndësishme është ajo pyetje”.
Për intervistën dhënë në kuadër të projektit “Kanali Shtëpia e Artit, që financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal, Sala pranon se ka një kulturë të bashkëndarë në rajon, pavarësisht politikës. “Ka një ndjesi të përbashkët humori, një ndjesi e përbashkët sesi mund të jetë realitet apo surreal dhe kjo është diçka që përket, që mbetet me ty”, thotë ai.
Gjatë karrierës artistike, pranon Anri Sala, ka pasur disa pika kthese. “Disa nga jashtë e disa nga brenda”. Pika e parë, rrëfen artisti me famë botërore, ishte rrëzimi i regjimit komunist, në kohën kur ai vendosi të studiojë Arte. “Çarjet që solli, mënyrën sesi ndryshoi ligjet me të cilat shoqëria bindej, vlerat, imagjinatën kolektive, liritë”.
Pas këtij momenti të madh erdhi shpërngulja e tij drejt Parisit. Kjo solli një kornizë më të gjerë në jetën e tij si artist. Me t’u prezantuar me videon, do të lindte edhei pari projekt, ai që idha mënyra të reja për të zhvilluar qasje ne tij.
Një nga veprat e rëndësishme, e cilëson ai, është “Intervista”, e cila ka të bëjë me interesimin dhe hulumtimin e tij artistik mbi idenë e thyerjes në gjuhë, sintaksë dhe muzikë për të ndërtuar rrëfime të reja dhe të papritura.
Një intervistë video, së cilësi mungonte audioja, Sala sheh të ëmën në Kongresin e Rinisë. Brenda atij filmimi është intervista që ajo i jep gazetarit dhe tingulli si qasje antropologjike u bë tema e projektit.
“Jo vetëm gjeta përmbajtjen pa tingullin, por duke gjetur fjalët që ishin thënë në këtë intervistë kuptova se nuk ka të bëjë vetëm me përmbajtjen, por edhe me sintaksën, tingullin dhe artikulimin dhe nisa të mendoj për gjuhën se nuk është a transparente sa duket”.
Gjuha, mund të jetë edhe e patejdukshme , mendon Sala, por opacitetin e saj mund ta shohim vetëm kur diçka thyhet. “Dhe diçka u thye me gjuhën shqipe, sepse iu desh të lëvizte nga regjimi komunist si mjet propagande dhe kontrolli në atë të tranzicionit. Dhe sintaksa nuk u adaptua aq rrjedhshëm ndaj ndryshimit”.
Sintaksa, për Anri Salën, është si xhami i dritares. Kur gjithçka shkon normalisht, mund të shohësh pamjen. kur diçka thyhet, sheh xhamin.
“Pastaj kupton se gjuha është mjeti pushtetit, jo vetëm në Shqipëri, apo diktaturë apo në një lloj të caktuar diktature, por edhe në demokraci, sesi aksenti luan një rol dhe mënyra si flitet një gjuhë, fjala vjen anglishtja në Britani, Amerikë apo si flitet frëngjishtja tregon nga vjen dhe ku je me strukturën e pushtetit”.
Reagimi i parë, thotë Sala, ishte një ndjesi mosbesimi “që më bëri më të interesuar të nxjerr tingullin nga filmi”. Kjo erdhi me disa filma të shkurtër, mes tyre “Uomoduomo”.
Një tjetër pikë kthese apo kapitull në karrierën e tij është kur tingulli artikulon veten në muzikë. Kjo ndodh nga viti 2003-2004. Muzika bëhet thelbësore, jo vetëm si përmbajtje pori lejon strukturim përmbajtjes dhe rrjedhjes së kohës.
Çelja e ekspozitave, rrëfen ai, u bë një formati rëndësishëm. Për Salën, ekspozita nuk ishte shfaqje e një vepre të vetme, por mënyra sesi brenda një hapësire vendos vepra të ndryshme që sjellin dialog në hapësirat që banohen nga vizitorët. Dhe siç pranon ai, muzika për veprën tij ka rol të rëndësishëm.
Koncepti i kohës për të, nisi të ndryshojë duke kaluar nga ajo fizike e fluide që rrjedh kur punon mbi një sipërfaqe pikture a afresku, sesi duhet ta mbash gjithnjë të njomë për të bërë ndërhyrjet e duhur.
“Je i vetëdijshëm për kohën e lëngët, për të shprehur veten dhe sjellë imazhin. Kjo ndryshoi kur nisa të punoja me video, sepse është koha që regjistron. Nuk është një kohë e përvojës si artist, por koha e përvojës së shikuesit. Me “Intervista” u bëra i vetëdijshëm me kohën, si në rastin e strukturës së narratives”.
E shkuara, e tashmja kur filmon dhe, e ardhmja. “Por në momentin kur hyri muzika nuk ka ndarje të qarta të së tashmes dhe së ardhmes. Me muzikën je në të tashmen. Sigurisht, ka një kujtesë të asaj që ke dëgjuar, por je vazhdimisht ne rrjedhën e kohës”, zbulon Sala.
“Dora e Zotit” është një tjetër instalacion, ku Sala bën bashkë ndeshjen e famshme Argjentinë-Angli, sjell zërin e komentatorit italian Bruno Pizzul.
“Jam rritur me tingullin e Bruno Pizzul. Është një kyqëzimi kohës mes tingullit të tij, që sjell kujtesën e së shkuarës të një vendi që nuk di shumë gjëra dhe asaj që sheh, që ishte një ndeshje futbolli. Më pëlqen të luaj me idenë se Argjentina nuk fitoi vetëm një herë ndaj Anglisë”.
Sala flet për një tjetër vepër të tij, titulluar “Le Clash” (Përplasja), që kombinon “music box” dhe organon. “Në këtë kombinim, këto dy instrumente që jo vetëm i paraprijnë muzikës punk, por janë shekuj përpara. Punk është energji dhe pak melodi dhe music box është më shumë melodi. Kur mendon për Punk-un politikisht dhe melodikisht mendon se është diçka e së shkuarës, por kur ke instrumente shumë më të hershme kjo udhëton me idenë e kronologjisë së kohës”, shpjegon Sala.
“Le Clash” u vendos në sheshin e rëndësishëm të qytetit të Meksikos, Tlatelolco, ku aztekët u mundën nga hispanikët dhe ku studentë u vranë nga ushtria dhe policia në masakrën e 1968-s dhe vendii një tërmeti të madh, ku disa ndërtesa të vjetra nuk janë më.
“Njerëzit po sillnin muzikën e tyre, varur nga mosha, dinamika, hapi i tyre. Shumë individualitete, për të cilat isha i interesuar, e thyen shumë këngën, por edhe i dhanë një vazhdimësi unike”.
Sala zbulon interesin e tij sesi trupi ka kujtesë, si e merr dhe e jehon një ngjarje. Edhe në një periudhë, ku diskursi është bërë shumë i rëndësishëm sa një mënyrë për të rezistuar ndaj asaj që mund të kishte qenë tirania e diskursit është sesi trupi mban mend”.
Kjo do të sillte projektin tjetër të tij, që jehonte përvojën e rrethimit të Sarajevës. Sesi trupii një të mbijetuari nga rrethimi reagon kur kalon në atë që u quajt si rrugica e snajperëve apo tek “Dora e Majtë në D Major”, koncert për piano Ravelit, i shkruar në kohën e luftës de gjymtimit ku dora e djathtë mungonte. “Por në një nivel tjetër është sesi trupi luan me dorën e majtë. Si e mban mend dorën tjetër dhe sesi e majta duhet të kompensojë dorën që mungon”.
Tek vepra mbi Rrethimin e Sarajevës, titulluar “1395 ditë pa të Kuqen”- ku Sala bashkëpunoi me regjisoren Liri Begeja dhe artisten nga Sarajeva, Šejla Kameriç -, synoi të sillte një reflektim mbi impaktin e situatës gjeopolitike, në muzikë.
Orkestra Filarmonike e Sarajevës, e cila kishte luajtur qindra koncerte për popullin në mënyrë heroike, interpreton simfoninë e gjashtë të Çajkovskit, ndërsa filmi sjell ndjesinë e tmerrit të luftës. “Të mbash frymën në çdo kalim të rrugicës ndikon në frymëmarrje dhe muzika e Çajkovskit ka një rend në tempin e tij”.
Në filmin e tij “If and Only if” (Nëse dhe vetëm nëse ), Anri Sala solli gjendjen e dy gjërave që varen nga njëra-tjetra, po ku asnjëra nuk vjen e para.Nën muzikën e Stravinskit, “Elegji për Violë Solo”, Violisti Gerard Causse interpreton me dy kërmij në harkun e violës. Ideja ishte të zgjaste sa më shumë elegjinë, për aq kohë sa i duhej kërmillit të arrinte majën e harkun, që ishte e përllogaritur rreth tetë minuta.
“ishte një kuptim nga fillimi që muzika duhej të zgjatej. Diskutuam mënyra ku do të zgjatej. Kërmilli fut imput në mënyrën sesi luhet muzika dhe muzikanti duet të marrë në konsideratë pozitën e kërmillit për të mos e lënduar dhe ku në një pikë nga një bëhen dy kërmij. Është një negocimi vazhdueshëm, është pjesë e përhershme në veprën time”, rrëfen Sala.
Koncertin për Klarinetë të shkruar nga Moxart rreth fundit të viteve 1700, një vit para Marsejezës së famshme, e solli në veprën “The Last Resort” (Vendpushimi i fundit), përmes disa baterive të kthyera kokëposhtë, që luajnë muzikë vetë, pa dorën e njeriut.
“Është një kohë historike, që jo vetëm përkon me epokën e artë të Iluminizmit, qytetërimit Perëndimor , nocione të caktuar që jo doemos ekzistonin apo lexoheshin më përpara mes njerëzve të pasur, që është rrethanë e njohjes së të tjetrit, gjatë ndarjes fetare”, përshkruan ai, duke shtuar se është koha ku ideja e gjeniut dhe e arteve marrin rëndësi jashtë religjionit dhe jashtë hierarkisë së aristokracisë.
“Kaq qartësi prodhon verbëri. Sesi shkatërruan lloje të tjera të kulturës”, thekson artisti. Vepra u porosit në Australi. Ajo kohë kur Moxart shkroi pjesën muzikore, përkonte me kohën e kolonizimit. Idetë e iluminizmit, pohon Anri Sala, nuk mbërritën të paprekura në brigje të tjera.
Me veprën e tij të fundit, Sala shkon përtej kohës kulturore dhe gjeopolitike, drejt asaj apokaliptike. E megjithatë, instalacioni “Time no longer” që do të shfaqet në ekranet gjigante të Cisternës, në Hjuston sjell shpresë përmes dhembshurisë së dy instrumenteve që luajnë muzikë dhe siç thotë Sala muzika na bën të rrjedhim në të tashmen – dhe nëse koha mbaron- dhe aty ku ka dy njerëz ka gjithnjë dhembshuri dhe sigurisht jetë... /Përgatiti: Gazeta Si.
Comments(0)