Historia e panjohur e Ishullit të Trëndafilave. Film mbi shtetin përballë Riminit që kërkonte pavarësinë, Italia e fundosi


Ishte koha kur universitetet pushtoheshin dhe mbaheshin të okupuara nga studentët. Ishte koha e përleshjeve në rrugë e sheshe, koha e përplasjeve të mëdha të ideve, koha e anarkistëve dhe e rrëzimit të Republikave Italiane. 

Në fund të viteve ‘60, një inxhinier italian ndërtoi ishullin e tij në Detin Adriatik, i cili kishte një restorant, një bar, një dyqan suveniresh dhe madje edhe një zyrë postare. Kjo është një histori e jashtëzakonshme, e cila ka kaluar kryesisht e patreguar për dekada, por që nuk do të vazhdojë të jetë edhe për shumë gjatë e panjohur, pasi Netflix sapo ka publikuar “Rose Island” (Ishulli i Trëndafilave), filmin që ndjek historinë e vërtetë të Giorgio Rosa dhe betejën e tij me autoritetet italiane që struktura e ndërtuar prej tij të njihej si një shtet i pavarur.

Historinë ka të ngjarë as të mos e keni dëgjuar ndonjëherë, vetëm po të qe se jetoni në qytetin verior italian të Riminit, në brigjet e të cilit Rosa ndërtoi mikro-kombin e tij utopik.
“Kjo është lloji i përrallës në Rimini që gjyshërit u tregojnë fëmijëve dhe nipërve të tyre”, shpjegon producenti i filmit Matteo Rovere. “Është një histori shumë e famshme, por vetëm në Rimini. Ne menduam se ishte një histori e pabesueshme dhe shumë e çuditshme që nuk dinim asgjë për të”, shprehet Rovere.

Para vdekjes së tij në 2017 në moshën 92-vjeçare, inxhinieri Rosa u takua me producentët e filmit dhe, pas një pune bindëse nga ana e tyre, u dha bekimin për të adaptuar historinë në ekran. Filmi që doli përshkruan ndërtimin e ishullit dhe refuzimet që inxhinieri Rosa u bënte ofertave të qeverisë italiane që kërkonte që “ishulli” të çmontohej.
Historia fillon në vitin 1967, kur Rosa u nis për të ndërtuar një mikro-komb, i cili kishte për qëllim të ishte një simbol i lirisë. Shumë njerëz në atë kohë menduan se ai duhet të ishte i çmendur për të provuar një arritje të tillë. Por, siç thekson djali i tij në jetën reale, ndërtimi e “L’Isola delle Rose” kërkonte një përvojë të madhe teknike.

ros.jpg (93 KB)
“Babai im ishte një inxhinier dhe në Itali do të ishte e mjaftueshme për ta përshkruar atë kështu për të kuptuar se çfarë lloj personi ishte ai”, shpjegon Lorenzo Rosa. “Ai ishte një person shumë i saktë, i detajuar dhe shumë i organizuar. Një inxhinier në një kuptim pothuajse gjerman të fjalës. Me përjashtim të kësaj vije të vogël çmendurie që e bëri atë të dëshironte të ndërtonte një platformë për veten e tij dhe pastaj ta bënte atë një shtet 6 milje jashtë ujërave territoriale, gjë që e bëri atë princin e anarkistëve në atë kohë në Itali”…

Pra, nëse doni të arratiseni me imagjinatë në ngrohtësinë e një ishulli italian, atëherë merrni kokoshka edhe uluni përballë televizorit për të parë komedinë e re nga Netflix “Rose Island” (L’Isola delle Rose); një komedi argëtuese e drejtuar nga kompania Sydney Sibilia, e cila tregon se ndonjëherë realiteti është më i çuditshëm se fantazia.
Duke u kthyer pas në kohë në vitin 1968, “Rose Island” tregon historinë e Giorgio Rosa (luajtur nga aktori Elio Germano), një inxhinier i sapodiplomuar, i cili vendos të ndërtojë një ishull në brigjet e Riminit me ndihmën e mikut të tij Maurizio (luajtur nga aktori Leonardo Lidi). Giorgios i duket se ka ndërtuar parajsën e tij, larg rregullave dhe ligjeve. Sidoqoftë, qeveria italiane vendos që ishulli ideal i Giorgios është “Armiku Numër Një i Italisë”, pasi e merr vesh për lajmin vetëm nga aplikimi që inxhinieri kishte bërë në Kombet e Bashkuara që ishulli i tij të ishte një shtet i pavarur. Giorgio Rosa pret me ditë të tëra që çështja e tij të shqyrtohet nga Këshilli i Evropës, ndërsa diplomati francez, Jean Baptiste Toma (i luajtur nga François Cluzet) vendos ta marrë parasysh çështjen vetëm pasi sheh vulën e Kombeve të Bashkuara në dosjen e tij. Filmi ilustron gjithçka që Rosa i tregon Tomës dhe më pas Këshillit të Evropës për të fituar pavarësinë e ishullit që ai ndërtoi.

Giorgio është një inxhinier i çuditshëm, që mendon se të gjithë e keqkuptojnë. Prindërit e tij nuk flasin më me të, ndërsa ish e dashura e tij, Gabriella (luajtur nga aktorja Matilda De Angelis), është gati të martohet me një burrë tjetër.

Giorgio i kërkon mikut të tij më të mirë, Maurizios, i cili punon në kantierin e babait të tij, që ta ndihmojë të ndërtojë ishullin në brigjet e Riminit, në ujërat ndërkombëtare, vetëm 500 metra jashtë juridiksionit italian. Maurizio, i cili po vjedh nga biznesi i të atit, përdor paratë për materialet për ndërtimin e platformës që gjithë-gjithë është vetëm 400 metra katrorë. Të rinjtë dynden në ishull për të festuar larg syve kureshtarë që i shohin tek sa shkelin rregullat. Ishulli bëhet një biznes i shkëlqyeshëm pa taksa. Por, me afrimin e dimrit, ekipi shikon se festa së shpejti do të përfundojnë. Ndërkohë Giorgio ende qëndron me idenë e tij për të jetuar diku larg rregullave ose ligjeve. Ai vendos të aplikojë në Kombet e Bashkuara për të pasur një ishull të pavarur. Esperanto bëhet gjuha kombëtare dhe ishulli ka edhe pullën dhe pasaportën e tij. Sidoqoftë, sapo qeveria italiane e dëgjon këtë përmes një telefonate nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, përdor çdo taktikë të mundshme për të shkatërruar Ishullin e Trëndafilit. Pasi Ishulli i Trëndafilit shkatërrohet me eksplozivë, e gjithë struktura zhytet nën ujë…

Sot, mbetjet e tij qëndrojnë në shtratin e Detit Adriatikut, por Lorenzo Rosa ka ende një pjesë të strukturës origjinale të ekspozuar në shtëpinë e tij.
“Kam një tullë që disa zhytës e morën nga atje. Ata kanë shkruar diçka të bukur në të,” shpjegon ai, duke lexuar mbishkrimin me zë të lartë: Zhytësit e Riminit janë të nderuar t’i japin një ëndërrimtari fragmentin e një ëndrre.

Përgatiti: Gazeta “Si”

Comments(0)

Log in to comment